Rreziku nga iniciativa për kufizimin e popullsisë në Zvicër

Në emisionin e pasdites në Radio Televizionin e Kosovës isha mysafir i Medijana Rrahmanit, udhëheqëse e emisionit. Ne biseduam mbi iniciativën për kufizimin e pupullësisë në Zvicër. Unë në emision shfaqa argumentet kundër Iniciativës.

Disa nga pikat e bisedës:


Iniciativa dhe qëllimet e saj

  • Kufizimi i popullsisë: Iniciativa kërkon që popullsia e përhershme në Zvicër të kufizohet në maksimum 10 milionë njerëz deri në vitin 2050. Populli zviceran do të votojë për këtë të ashtuquajtur „Iniciativë për qëndrueshmëri“ më 14 qershor.
  • Masat hap pas hapi: Sapo popullsia të arrijë në 9.5 milionë, Këshilli Federal duhet të marrë masat e para, si ndalimi i azilit dhe ndalimi i bashkimit familjar.

Ndikimet e parashikuara (Pikat kritike)

  • Perspektive e punëtorëve: përmes kontrolleve të kushteve të punës që mundësohen nga marrëveshjet aktuale (masat shoqëruese me BE-në), sindikatat arrijnë të zbulojnë dhe të nxjerrin rreth 50 milionë franga në vit që punëdhënësit ua kanë marrë apo u kanë hy në hak punëtorëve (paga të papaguara siç duhet ose nën nivelin ligjor)
  • Rreziku nga iniciativa: Këto para u kthehen direkt punëtorëve në xhepat e tyre Nëse marrëveshjet dypalëshe me BE-në prishen për shkak të kësaj nisme, shteti humb këto instrumente kontrolli. Si pasojë, punëtorët do të humbnin mundësinë për të rikthyer këto 50 milionë franga që u merren me të padrejtë.
  • Perspektiva e rinisë: Gashi thekson se iniciativa rrezikon të ardhmen e brezit të ri, pasi izolimi i vendit dhe mungesa e fuqisë punëtore do të dobësonin sistemet sociale (si pensionet) dhe do të zvogëlonin mundësitë e shkollimit dhe karrierës në një treg ndërkombëtar. Gati 400’000 shtetas të Zvicrës jetojnë, mësojnë dhe punojnë në BE.
  • Ekonomia dhe shëndetësia: dëme të mëdha në ekonomi dhe shëndetësi, pasi rreth 50% e mjekëve dhe mbi 30% e stafit infermieror në Zvicër nuk kanë pasaportë zvicerane.
  • Rrezikimi i marrëveshjeve bilaterale: Iniciativa kërkon shfuqizimin e marrëveshjeve me BE-në, gjë që dëmton marrëdhëniet me partnerin kryesor ekonomik dhe dobëson mbrojtjen e punëtorëve, duke rrezikuar masat mbrojtëse të kushteve të punës dhe pagave.
  • Ndikimi te diaspora: Për komunitetin shqiptar, heqja e bashkimit familjar dhe rikthimi i mundshëm i modeleve të pasigurta të punës (si statusi i dikurshëm i sezonalëve) do të thoshte goditje e rëndë.
  • Zgjidhje të rreme: Problemet si qiratë e larta apo trafiku i mbingarkuar i mvishen gabimisht emigracionit, në vend që të zgjidhen përmes planifikimit të infrastrukturës apo rregulloreve politike.

Kjo iniciativë nuk zgjidh asnjë problem, ajo i përkeqëson të gjitha. Ajo është pastër politikë simbolike mbi kurrizin e punëtorëve, pa adresuar shkaktarët e vërtetë të kostove të shëndetësisë, qirave dhe të pasurive të paluajtshme. Sindikatat i përgjigjen përçarjes me solidaritet. Kush dëshiron të mbrojë të drejtat, pagat dhe pensionet, shkruan një «Jo» të qartë në fletëvotim më 14 qershor.

Please share / Bitte teilen / Ju lutem shpërndajeni