„Unë nuk jam racist apo raciste, por …“: kur një fjali fillon kështu, atëherë pa përjashtim pason një deklaratë ksenofobe dhe raciste. Java a Aksionit kundër Racizmit e Qytetit të Bernës mbahet prej sot 21 mars nën këtë titull dhe fton për diskutime, debate dhe përzierje konstruktive në këtë temë.
nga Hilmi Gashi
Diskutime të cilat fillojnë me këtë fjali hyrës nuk përfundojnë mirë. Për këtë arsye parashtrohet pyetja, pse fillohet një bisedë apo mendim me këto fjalë hyrëse? Vallë për tu arsyetuar për atë që do të pasojë?
Unë nuk jam racist, por….si mënyrë e distancimit prej rrymave ksenofobe
Këtë fenomen e hasim në mediat sociale, jetën e përditshme, në rrethin tonë shoqëror, miqësorë dhe në vend të punës. Nëse dëgjojmë me vëmendje bisedimet, atëherë shpesh pas fjalisë “nuk jam racist apo nuk jam raciste, por…pason një deklaratë raciste dhe ksenofobe. Si duket kjo fjali hyrëse bëhet vetëm për të zbutur sulmin e mundshëm pas deklaratës raciste, sepse, sipas folësit deklarata që e jep në këtë moment nuk bëhet për motive raciste, por bazohet në përvoja personale apo të tjerëve, vrojtimeve objektive apo dijes së marrë nga burime të ndryshme. Me këtë, folësi e bën një distancim nga deklarimet raciste dhe ksenofobe të qarqeve të njohura, në të cilat ksenofobia dhe racizmi janë prezentë në diskursin e tyre social dhe politik dhe urrejtjen ndaj të huajve e kanë program. Së fundi ai apo ajo nuk do të identifikohet apo të radhitet në të njëjtën kategori me këto grupe ksenofobe.
Nuk ka “POR” në Bernë
Si të përballemi me këto thënie, të cilat nuk janë të deklaruara si raciste dhe shpesh vijnë të mbuluara me pëlhurën e objektivitetit? A e përdorim këtë fjali hyrëse për t’i ikur ballafaqimit me faktin se kemi mendime raciste dhe ksenofobe? Tregojmë me gisht në drejtim të të tjerëve, por e kapim vetveten me mendime të tilla të llojit me fjali hyrëse “POR”? Manifestimet, shfaqjet dhe aksionet e ndryshme kreative gjatë “Javës kundër racizmit” dhe fushata përcjellëse e bëjnë temë dhe ballafaqohen me këto pyetje dhe tema, Njëkohësisht edhe dërgojnë mesazhin: “Nuk ka POR në Bernë”.
Nuk ka “POR” për racizmin e dukshëm dhe real, por edhe nuk ka “POR” për racizmin, i cili fshihet prapa korrektësisë politike.
Çka është java kundër racizmit?
Me javën e aksionit kundër racizmit, qyteti i Bernës vë një shenjë të fortë kundër racizmit. Në këtë javë organizatave të ndryshme u mundësohet një platformë për angazhimin e tyre konkret kundër racizmit dhe urrejtjes ndaj të huajve. Këto organizata angazhohen me idetë dhe projektet e tyre në Javën e Aksionit kundër Racizmit dhe për këtë angazhim kanë mbështetjen e qytetit. Popullsia sensibilizohet në temën e prezencës së racizmit dhe diskriminimit në jetën e përditshme dhe ftohet të marrë pjesë në debate të shumta.
Grupi i migrantëve brenda Partisë Socialdemokrate (PS) i ka dhënë besimin Osmanit Osmanit, ta përfaqësoj këtë strukturë të rëndësishme në drejtorinë udhëheqëse të partisë së dytë nga madhësia në Zvicër. Ky besim është edhe rezultat i punës së palodhshme të Osman Osmanit, i cili edhe ka qenë nismëtar dhe ideator për themelimin e Strukturës së Migrantëve në PS.
nga Hilmi Gashi
Në kuvendin e përgjithshëm të socialdemokratëve migrantë të Zvicrës, të mbajtur në Bernë në mesin e muajit shkurt u bënë edhe zgjedhjet për Delegatë në organet më të larta të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Padyshim se lajmi më i mirë këtë ditë ishte zgjedhja e Osman Osmanit në Drejtorinë e Partisë Socialdemokrate, ku ai së bashku me Françoise Bassand, do t’i përfaqësoj interesat e migrantëve në strukturën udhëheqëse të partisë. Konkurrenca për këtë vend me rëndësi ishte e konsiderueshme. Delegatët ia dhanë besimin Osman Osmanit në raundin e parë të zgjedhjeve dhe kjo flet shumë për punën, angazhimin dhe profilin politik të tij. Në mesin e të zgjedhurve në organet e ndryshme partiake janë edhe shumë shqiptarë, të cilët fituan besimin e delegatëve për t’i prezantuar Migrantët në organet e larta të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Ervin Sheu nga Kantoni Vaud dhe Urim Deva dhe Kosta Papa, të dy pa pasaportë zvicërane- nga Kantoni i Bazelit u zgjodhën delegatë për Kongresin e PS. Florim Kadriu nga Kantoni i Aargaut do t’i përfaqësoj interesat e migrantëve në Kuvendin e delegatëve.
Fuqizimi i migrantëve brenda dhe jashtë Partisë Socialdemokrate
Për shkak të angazhimit të saj social dhe qëndrimit progresiv në temat shoqërore dhe për të drejtat e të huajve, Partia Socialdemokrate (PS) ka një imazh të mirë dhe për këte arsye edhe shumë simaptizues dhe anëtarë nga radhët e migrantëve në Zvicër. Përkundër numrit të madh të anëtarëve, përfaqësimi i migrantëve në strukturat dhe organet e Partisë ka qenë i pamjaftueshëm. Me projektin e nisur në vitin 2012 për formimin e grupit të migrantëve socialdemokrat “SP-MigrantInnen/ PS Migrant-e-s” është ndërmarr një hap i rëndësishëm në fuqizimin e migrantëve brenda Partisë dhe në nxitjen e bashkëpunimit me strukturat ekzistuese në Parti. Themelimit të kësaj strukture i ka parapri puna mbi njëvjeçare në pilot-projektin e iniciuar dhe udhëhequr nga deputeti i parë me prejardhje shqiptare në Zvicër në parlamentin e Kantonit Schaffhausen, Osman Osmani. Sipas tij ai ka gëzuar edhe mbështetjen e fortë nga Peter Hug, sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare i PS. Njohja e kësaj strukture u bë në dhjetor të vitit 2016 në Kongresi i PS. Me këtë edhe është hapur udha për përfaqësimin e kësaj strukture në organet strategjike dhe ekzekutive të Partisë Socialdemokrate.
Të flasësh aty, ku sillen vendimet e rëndësishme
Drejtoria e partisë, e përbërë prej 24 përfaqësuesve të kryesisë, grupeve statutore dhe atyre të interesit është organ qeverisës. Drejtoria udhëheqëse takohet një herë në muaj dhe trajton temat aktuale politike dhe merr qëndrime për to. Pra ka një rol shumë të madh në sjelljen e vendimeve konkrete politike. “Të flasësh aty, ku sillen vendime të rëndësishme është përgjegjësi dhe obligim dhe në të njëjtën kohë edhe fuqizim i migrantëve”, është i bindur Osmani. Një prej sfidave të tij dhe koleges së Osmanit, Françoise Bassand pa dyshim është futja e politikanëve me sfond të migracionit nëpër lista zgjedhore për parlament dhe poste qeverisëse. Shpresat më të mëdha nga komuniteti shqiptar Osmani i ka te Arbër Bullakaj, deputet në qytetin e Wil të Sankt Gallenit. “Arbër Bullakaj në zgjedhjet e fundit nacionale ka arritur rezultatin më të mirë nga të gjithë kandidatët shqiptarë, jo vetëm në listë të PS por në përgjithësi”. Përveç punës si biznesmen i pavarur, Arbër Bullakaj është zëvendëskryetar i Partisë Socialdemokrate tё Kantonit St. Gallen dhe gjithashtu edhe iniciuesi dhe themeluesi i seksionit të socialdemokratëve migrantë për Kantonin St. Gallen.
Marrje përgjegjësie dhe përfaqësim interesash
“Edhe migrantët duhet të marrin pjesën e përgjegjësisë që u takon mbi vete dhe ta japin kontributin e tyre politik”, është i bindur Osman Osmani. Sipas tij, popullata e ardhur në Zvicër është në një gjendje specifike, me preokupime dhe nevoja të veçanta. Migrantët duhet të angazhohen vetë më fuqishëm për çështjet që u përkasin atyre”, thotë ai.
Formimi i strukturës së migrantëve brenda Partisë socialdemokrate ka lindur edhe nga përvoja e fituar në strukturat e partisë, sidomos nga përfaqësimi i fortë i grupeve të interesit të grave, të rinjve dhe pensionistëve në Parti. Osman Osmani kurrë nuk pushon duke thënë, se “nëse ne preokupimet dhe nevojat e veçanta të migrantëve duam t’i marrim seriozisht dhe të punojmë politikisht, na nevojiten struktura analoge sikur tek të rinjtë, gratë dhe pensionistët”. Pesha politike e grupit nuk varet vetëm nga idetë dhe projektet konkrete, por edhe nga numri i njerëzve të organizuar dhe aktiv në politikë dhe në zhvillimin e demokracisë brenda partisë dhe në shoqëri. Andaj, sipas Osmanit, hapat ardhshëm do të jetë informimi i drejtë i migrantëve mbi mundësitë të cilat i kanë ata në proceset vendimprurës në të gjitha nivelet. “Ne do tu japim kurajë atyre dhe do ti përgatisim të angazhohen në organizata dhe shoqata jashtë Partisë, qoftë kjo në shoqatë lagjeje apo ndonjë trup këshillëdhënës, për të cilat nuk ka nevojë të posedohet e drejta e votës”.
Urë lidhëse me partitë e vendeve të prejardhjes
Një synim tjetër me rëndësi i këtij angazhimi është edhe luajtja e rolit të një ure lidhëse mes Zvicrës dhe vendeve të prejardhjes së migrantëve mes bashkëpunimit me partitë simotra nga vendet e prejardhjes së migrantëve. “Unë konsideroj të rëndësishme mundësimin e transferimin dhe shkëmbimit të njohurive mes vendin amë të shumë migrantëve të këtushëm dhe të Zvicrës. Ne kemi mësuar aq shumë gjëra për institucionet demokratike, gjë që duam ta ndërmjetësojmë më tej. Dhe unë jam i bindur se ka gjëra, të cilat zviceranët mund ti mësojnë nga njerëzit e vendeve tjera. Procesi i të mësuarit është atëherë i mirë, kur është i ndërsjellët dhe kur mundësohet shkëmbimi i gjallë mes të gjithë të përfshirëve në proces” shprehet optimist Osman Osmani. Elani dhe qëndrimi i tij parimor dhe së fundi edhe zgjedhja e tij në Organin më të lartë të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës i jep të drejtë.
Autori, Hilmi Gashi, është Koordinator i Komitetit mbipartiak shqiptaro-zviceranë
Portreti i Socialdemokratëve Shqiptaro-Zviceranë
Shqiptarët me bindje socialdemokrate dhe të majtë, përmes strukturës së veçantë të migrantëve në kuadër të Partisë Socialdemokrate, angazhohen për pjesëmarrjen e gjithanshme në rrjedhat politike në vendin pritës dhe njëherazi edhe në vendet amë ku me përvojat dhe potencialet e tyre mund të kontribuojnë për zhvillimin e gjithanshëm të vendeve amë. “Shqiptaro-zviceranët parapëlqejnë angazhimin në PS edhe për shkak të qëndrimit dashamirës të këtij subjekti dhe angazhimin e tij për të gjithë njerëzit në Zvicër” thotë Osman Osmani kur flet për angazhimin e shqiptarëve në Partinë Socialdemokratike.
Tanimë nëpër shumë qytete e kantone të Zvicrës shqiptarët janë të angazhuar në PS, mbajnë poste në organet e strukturat e partisë, ushtrojnë mandate politike kryesisht në parlamente të nivelit komunal dhe kantonal.
Në zgjedhjet për parlamentin nacional të vitit 2015 kanë kandiduar edhe një numër i madh i shqiptarëve. Edhe përkundër rezultateve të mira të votave, mjerisht nuk është arritur që ky komunitet shumë aktiv të ketë një deputet nacional nga rradhët e veta.
Rezultatin më të mirë në zgjedhjet nacionale ka arritur Arbër Bullakaj, deputet i Parlamentit tё Qytetit Will/ SG dhe zëvendëskryetar i Partisë Socialdemokrate tё Kantonit St. Gallen. Përveç punës si biznesmen i pavarur, ai gjithashtu është aktiv nё Grupin integrues FAIR Wil, tё cilin ai e ka bashkёthemeluar. FAIR WIL qëndron për Dhomën e Integrimit për Grupet e Pavarura në Wil dhe ndërkohë ka mbi 80 anëtarë dhe mbi 15 ndihmës dhe vullnetarë. Arbëri është gjithashtu edhe iniciuesi dhe themeluesi i seksionit të socialdemokratëve migrantë për Kantonin St. Gallen.
Arritja e mandateve me rëndësi si sfidë politike për komunitetin shqiptar
Ky synim bashkë me arritjen e mandateve në ekzekutiv mbeten ndër sfidat më të mëdha për organizimin dhe pjesëmarrjen politike të shqiptaro-zviceranëve. Për arritjen e këtij qëllimi është duke u punuar me shumë seriozitet dhe profesionalizëm në krijimin e strukturave gjegjëse. Në ndërkohë janë krijuar para-struktura të socialdemokratëve shqiptaro-zviceranë nëpër regjione të ndryshme të Zvicrës, si fjala bie në dy Bazelet, në Aargau në Schaffhausen, në St. Gallen dhe pritet avancim edhe nëpër regjionet tjera. Kontributi i socialdemokratëve shqiptaro-zviceranë shihet më së miri tek votimet federale në Zvicër kundër iniciativave ksenofobe për “zbatimin e dëbimit” dhe atyre zhvatëse siç ishte ajo kundër “reformës tatimore të korporatave”, për parashtresat në të mirë të përgjithshme si ajo “për lehtësimin e natyralizimit të gjeneratës së tretë” si dhe me rastin e zgjedhjeve komunale, kantonale e nacionale. Rritja e elektoratit që kanë votuar për PS është tregues i mirë i këtij angazhimi të të rinjve shqiptar në PS. Zgjedhjet e fundit janë vetëm vazhdimësi e këtij suksesi. Këtu duhet të veçohen kantonet përmendura më lartë si Bazel, Aargau, St. Gallen dhe Schaffhausen ku është rritur dukshëm përqindja dhe numri i personave që kanë votuar për PS-në. “Këto të arritura janë fryt i angazhimit dhe punës së palodhshme të bashkëkombëseve dhe kolegëve Urim Deva dhe Kosta Papa në Bazel, që të dy aktiv dhe të zgjedhur si delegat të socialdemokratëve migrantë ë organet më të larta të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, edhe pse nuk aknë shtetësi zvicerane. Pastaj në Aargau kemi veprimtarin e mirënjohur Florim Kadriun e të riun mjaft aktiv Mark Kçira, të cilët gjithashtu janë zgjedhur delegat të socialdemokratëve migrantë në organet më të larta të PS-së”, shprehet i knaqur Osman Osmani. Sipas tij, sfidë mbetet krijimi i (para)strukturave të socialdemokratëve shqiptaro-zviceranë edhe në regjionet tjera të Zvicrës. Socialdemokratët shqiptari-zviceranë që janë duke funksionuar aktivisht janë në dispozicion për të mbështetur krijimin e tyre edhe në regjionet tjera.
Dy veprat artistike të piktorit Gazmend Freitag do të ekspozohen në Biennale të Austrisë në shkurt 2017. Sukses i madh i artistit me prejardhje nga Kosova, i cili në ndërkohë është bë emër i njohur në skenën a artit
Nga Hilmi Gashi
“Baresha” dhe “Akti me çarçafin e Kuq” ishin kontakti im i parë me këtë piktor, artist dhe krijues nga Pataqani i Poshtëm i komunës së Rahovecit. ”Baresha” e Gazmendit është pikturuar me shumë dashuri dhe pasion për detaje. Ngjyrat e vajit te “Baresha” artisti si duket i kursen. Për fat të mirë këtu vendosja me shumë rezervë e ngjyrave e gjallëron pikturën. Pikërisht falë këtij kombinimi të ngjyrave te “Baresha” shoh gjallërinë, respektin dhe dashurinë për të bukurën.
Vepra tjetër “Akti me çarçaf të Kuq” është një pikturë e guximshme. Edhe këtu ngjyrat janë të gjalla dhe të bartura në vepër me plot dashuri për detaje dhe me gjenerozitet. Motivi i akteve zakonisht është motiv i trajtuar nga shumë artistë me famë botërore. Veprat e tyre janë ekspozuar, edhe përkundër ndjenjave të ngushta morale dhe tabuizimit të kohës. Në këtë gjenerozitet nuk has te piktorët nga trojet shqiptare. Në këtë formë të hapur dhe tejet ekspresioniste për herë të parë e kam hasur te ky artist. Bukuria e trupit të femrës në një skenë shumë dinamike, pa e banalizuar bukurinë, është tipike vetëm te piktorët, të cilët ndjenjat e tyre dinë ti ekspozojnë me guxim por edhe me respekt ndaj ndjenjave të shijuesit të artit.
Këtë pasion të Gazmendit për figura dhe portrete njerëzore e përshkruan mirë edhe Ursula Pfeiffer, e shoqatës Verein kunst-projekte e cila mes tjerash thotë : “Shumë vepra të Gazmend Freitag mishërojnë `momentet e bukura` të cilat artisti i kap në stilin e artit klasik dhe modern në një bashkëveprim në mes të impresionizmit dhe ekspresionizmit”.
Gazmendi nuk është vetëm piktor i portreteve dhe akteve, por është mjeshtër i peizazheve, vizatimeve dhe ilustrimeve të shumta. Në to ai kombinon elemente të ndryshme, të frymëzuara nga jeta e tij e hershme në Kosovë dhe inspirimet që merr nga jeta e përditshme në Linz të Austrisë, ku edhe jeton dhe krijon.
Këto elemente të shumta autobiografike, peizazhe të vendlindjes (Pataqani i Poshtëm), portrete të shumta të njerëzve, kujtimet e fëmijërisë, hulumtime të akteve, natyrës së qetë dhe shumë tjera.
Talenti i tij është i shumanshëm dhe gjen shprehje jo vetëm në punimet e tij por edhe në teknikat e ndryshme, të cilat ai i përdorë për të shprehur mendimet, ndjenjat, kujtimet dhe fantazinë e tij si grafikë, pikturim me ngjyra vaji, vizatim me laps, shkumës dhe tush.
“Vend i vogël për tu parë në hartë, por ka lënë gjurmë te unë”
Prej Pataqanit të Poshtëm, në galeritë e botës, është një rrugëtim mbresëlënës i këtij artisti të veçantë dhe autentik. Gazmendi me shumë krenari dhe vetëbesim flet për prejardhjen e tij nga ky fshat i vogël i Komunës së Rahovecit. Në shkollën e fshatit Pataqan i Poshtëm, ku para 48 viteve ka lindur piktori, vizatimet e tij në muret e shkollës nuk kanë ngjallur ndonjë kureshtje dhe interesim të madh. Gazeta e atëhershme “Rilindja”, në shtojcën e saj “Rilindja për fëmijë” kishte botuar për herë të parë një vjershë nga Gazmendi. Përkundër dëshirës së prindërve për t’u bërë jurist, Gazmendi ka ndjekur rrugën e zemrës dhe ndjenjës për art. Artin e ka kultivuar së pari në Gjermani, ku ka emigruar gjatë diktaturës serbe në Kosovë dhe më vonë në Austri, ku jeton dhe vepron edhe sot.
Për vendin e tij të ri të banimit, Linzin, Gazmendi ka fjalë admiruese: “Që prej se jetoj në Austri, arti im është bë më dinamik. Veçanërisht vitet e fundit, Linz, vendi ku jetoj, është bërë burim i frymëzimit tim artistik”. Shansi për të ekspozuar në Biennale të Austrisë duket kështu një sukses i logjikshëm i këtij artisti të talentuar, i cili nuk kënaqet me kaq, por vazhdon duke punuar me një elan të madh. Së fundi siç thotë vetë artisti: “Gjuha e artit hap shumë mundësi të komunikimit”. Gazmend Freitag ka shumë për t’i thënë botës dhe artdashësve përmes gjuhës së tij -Artit!
Biennale Austria mbahet prej 13-19 shkurt 2017 në Vjenë të Austrisë, Grupmendorferstrasse 23, 1060 Wien. Veprat dhe të dhënat mbi artistin i gjeni në faqen e internetit: www.gazmendfreitag.net
Über 150 Läuferinnen und Läufer drehten am 26. Oktober 2013 insgesamt 3027 Runden beim Münsterplatz Bern und setzten damit ein starkes Zeichen für die Rechte der Sans-Papiers. Der erlaufene Betrag kommt der Berner Beratungsstelle für Sans-Papiers zugute, die Menschen ohne Aufenthaltsbewilligung berät und begleitet. Die Berner Beratungsstelle ist hoch erfreut über die Anzahl TeilnehmerInnen und SponsorInnen. Die Solidarität, welche der Berner Beratungsstelle für Sans-Papiers entgegengebracht wurde, ist überwältigend. Am Solidaritätslauf für Sans-Papiers wurden voraussichtlich rund 60’000 Franken erlaufen. Der Betrag kommt der Berner Beratungsstelle für Sans-Papiers zugute. Neben Einzelpersonen im Alter von 1.5 bis 82 Jahren haben verschiedenste Teams am Lauf teilgenommen und sich für den Teampreis beworben. Auch das beste Kostüm wurde von einer Jury mit einem Preis ausgezeichnet. Über 500 ZuschauerInnen verfolgten den Lauf und genossen die solidarische Stimmung und das schöne Wetter.
Ich danke meinen Sponsoren herzlich für die Unterstützung. Es war ein gutes Gefühl unter so vielen Menschen zu sein und mit ihnen für eine gute Sache zu laufen. Wir sehen uns nächstes Jahr wieder!
Të shtunën, më 15.06.2013 në Bernë të Zvicrës, organizuar nga sindikata Unia dhe Fondacioni Solifonds dhe mbështetur edhe nga Solidar Suisse u mbajt një manifestim mbi situatën e sigurisë sociale në Kosovë. Në ketë tubim të moderuar nga historiani zviceran dhe njohësi i lëvizjes punëtore Hans Schäppi, njëherazi edhe kryetar i Fondacionit Solifonds, përpos zviceranëve e shqiptarëve pati pjesëmarrës edhe nga radhët e migrantëve italian, portugez, etj., e të cilët u inkuadruan aktivisht dhe me pyetjet dhe diskutimet e tyre pasuruan këtë manifestim.
nga Fatmir Bajrami, Bernë, 15 qershor 2013
Në fillim të këtij tubimi informues u mbajtën dy referate, njëri nga Max Brym, themelues i gazetës elektronike Kosova-Aktuell dhe ligjërues i kohëpaskohshëm në fakultetin filozofik të Universitetit të Kosovës, ndërsa tjetri nga Osman Osmani, sekretar për migracion në Unia dhe anëtar i komitetit për politikë sociale në Lëvizjen Vetëvendosje! Më pas u zhvillua një tryezë diskutimi ku morën pjesë edhe Barbara Burri Sharani, ish drejtuese e zyrës zvicerane për zhvillim e bashkëpunim në Kosovë dhe aktualisht menaxhere projektesh në Solidar Suisse dhe Ruzhdi Ibrahimi, specialist i sigurimeve shoqërore dhe i punësuar në Arkën e sigurimit të papunësisë në Unia të Bazelit. Sikur për referatet ashtu edhe për diskutimet e këtij manifestimi u bë përkthim simuluan në të dy gjuhët, gjermanisht dhe frëngjisht.
Kosova nuk duhet të shërbejë si eksperiment neoliberal
Max Brym në referatin e tij kritikoj rreptë procesin privatizues në Kosovë. Sipas tij procesi privatizues Kosovës i kushtoj 76’000 vende të humbura pune. Mesatarisht sipas Brym me rastin e secilit privatizim humben 50% e vendeve të punës. Punëtorët e mbetur në ndërmarrjet e privatizuara nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash. Përmes shembujve konkret Brym atakoi procesin e privatizimit. Sipas tij “pasuria e vendit po falet”. Ndër të tjera Brym tha: “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës (PTK) u privatizua para pak kohësh për 75%. PTK ishte ndërmarrja publike më rentabële e Kosovës: Vetëm mes viteve 2007 dhe 2011 PTK arriti të shënojë një fitim prej gati 400 miliona Eurosh. Tani PTK-ju iu bartë një firme të dyshimtë AXOS GmbH në Hamburg për vetëm 277 milion. Shpërndarësi e rrymës KEK u bë rrush e kumbulla për vetëm 27 milion. Si pasoj u bë rritja enorme e faktuarave të rrymës në Kosovë”. Brym vijoj më pas të kritikoj faktin se në Kosovë janë duke u krijuar monopole private-kapitaliste, të cilat shfrytëzojnë lëndën e parë, në asnjë mënyrë nuk pranojnë të drejtat e punëtorëve dhe profitin e transferojnë në shoqërinë e tyre amë, pa paguar asnjë lloj tatimi në Kosovë. Brym në fjalën e tij kërkoj të kundërtën, që pasuria publike të shërbejë për interes të njerëzve të zakonshëm. Ai mes tjerash tha: “Trepça nuk duhet të privatizohet dhe privatizimet e bëra duhet të prishen. Kosova si vend është shumë i pasur dhe popullata gjithmonë e më e varfër. Kjo situatë nuk duhet të tolerohet edhe më tej”. Brym e vuri Kosovën në kontekstin e politikës neoliberale në Evropë, me ç’rast ai theksoi: “Kosova ishte dhe mbetet një eksperiment neoliberal në Evropë. Kosova është vendi më i varfër i Evropës, mirëpo gjithnjë e më shumë shtete në Evropë në kuadër të krizës kapitaliste po i afrohen standardeve të Kosovës. Është e nevojshme rezistenca ndërkombëtare e lëvizjes punëtore kundër KOSOVARIZIMIT të pjesëve tjera të Evropës. Gjithkund duhet të ketë rezistencë sociale”.
Mbretëron situatë dëshpëruese
Në prezantimin vijues referuesi Osman Osmani, pasi bëri një pasqyrim të situatës së përgjithshme të vështirë sociale në Kosovë duke e pasqyruar atë edhe me shembuj aktual konkret, ai analizojë edhe situatën tejet të vështirë të sindikatave në Kosovë. Përfundimet e tij siç tha ai, mbështeten në hulumtimet dhe dokumentet programore të Lëvizjes Vetëvendosje, në rekomandimet historianit sindikalist Hans Schäppi mbështetur në përvojat reformuese të sindikatave në Zvicër si dhe në analizën dhe propozimet e masave konkrete për fuqizimin e sindikatave në Kosovë nga bashkëdrejtuesi i sindikatës Unia në Berner Oberland, Hilmi Gashi. Në vijim po shkëpusim pjesë nga fjala e tij: “Situata sociale e politike në Kosovë sa vjen e po bëhet më e rëndë. Gjysma e popullsisë është e papunë, pra, çdo i dyti person i moshës madhore në Kosovë, në anën tjetër edhe ata që punojnë, shumica e tyre mezi sigurojnë mbijetesën dhe nuk gëzojnë as të drejta minimale. Si rezultat i papunësie, 45% e popullit të Kosovës jeton në varfëri, ndërsa 18% jeton në varfëri ekstreme – me më pak se 0.90 cent në ditë. Është tejet e arsyeshme që kjo gjendje e rëndë të ndikojë në tregun e punës, e veçanërisht në marrëdhënien në mes të kërkesës dhe ofertës, andaj, programet e rregullimeve strukturore të ekonomisë, përmes privatizimit të egër, e kanë rënduar edhe më shumë situatën e punëtorëve në Kosovë, si në aspektin e realizimit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, ashtu edhe në kushtet e tregut të punës. Ndërsa sa për të ilustruar të arriturat drejt “perspektivës evropiane” të trumbetuar nga qeveritarët, po theksojmë fenomenin rrëqethës që ka kohë po e përcjell kohët e fundit po përcjell regjionin e Anamoravës. Rreth 3000 qytetarë edhe të fshatrave të Vitisë, Gjilanit e Ferizajt me rrethine vetëm javën e fundit, kanë lënë thyqafas vendin përmes Serbisë në Hungari, me qëllim të arrijnë në njërin nga shtetet e zhvilluara të Evropës (Zvicra, Gjermania, Franca), për një jetë më të “mirë” dhe për të mbajtur familjet e tyre. Derisa qytetarët e Kosovës; rinia dhe fuqia punëtore e intelektuale e Kosovës, po i braktisin dëshpërueshëm shtëpitë dhe vendin e tyre, duke rrezikuar jetët e tyre për mbijetesë, politika dhe shteti i Kosovës aq që merr mundin të reagon për këtë?! Ky fenomen do të duhej të shqetësonte institucionet kombëtare?
Për sindikata të mirëfillta në Kosovë
Shkelja e të drejtave të punëtorëve është prezent si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Moszbatimi i ligjit të punës; mosrespektimi i orarit 8 orësh, mungesa e kontratave të punës dhe e rrogës të garantuar minimale, mungesa e mbrojtjes ligjore në rast të sigurie, lëndimi apo rrezikimi të shëndetit në punë, mos-pagesa për orët shtesë të punës, etj, etj. Punonjësit e Kosovës janë të shfrytëzuar rëndë, trajtohen në mënyrë çnjerëzore, ndërsa edhe paga që marrin nuk mjafton as për mbijetesë. Ka kohë që sindikatat në Kosovë përballen me një krizë serioze: zvogëlimi i numrit të anëtarëve, ankorim i varfër para së gjithash në sektorin privat, ankorim i varfët në regjione, fragmentim (copëtim) i sindikatave, varësia nga partitë politike në pushtet, përfshirje në procesin e privatizimit dhe shpronësimit të pasurisë shoqërore. Protestat e ndryshme të sindikatave, të cilat për shkak të përçarjeve të shumta humbin fuqinë, nuk kanë arritur asnjë përmirësim bile qoftë ai edhe simbolik. Sindikatat vuajnë ndër të tjera edhe nga:
Humbja e anëtarëve në fushat kryesore, duke u nisur nga ndërmarrjet dhe shërbimet publike (administratë, arsim shëndetësi) si dhe në industri, posaçërisht sektorin privat krejtësisht i paorganizuar si në ndërtimtari dhe sektorët anësor të ndërtimtarisë;
mplakja: grupet e interesit si gratë, rinia të nën-përfaqësuara;
Rritja e fushave e sektorëve të rëndësishëm, si ai terciar i tërësishëm, i pa organizuar;
Humbja e aftësisë mobilizuese dhe mobilizimit për greva, mungesa e fuqisë për kontraktim me ndërmarrje të kontratave të përgjithshme të punës. Në politikë sindikatat nuk kanë aftësinë e avancimeve legjislative;
Toni vajtues në media: sindikatat do të zhduken
Do të ishte e nevojshme formulimi i një projekti sindikal me qëllime të qarta: Tejkalimi i copëzimit sindikal, ndërtimi ndër-profesional dhe ndër-sektorial, ankorim nëpër regjione, organizimi i shkretëtirave sindikale, rritja e aftësisë mobilizuese, pavarësia politike nga pushtetarët, përforcimi i bashkëpunimit me sindikatat e Shqipërisë, pastaj me ato të Evropës juglindore dhe në përgjithësi të Evropës dhe tërë Botës.” Pikënisje për jetësimin do të ishte bashkëpunimi i sindikatave të veçanta përparimtare dhe të gatshme për reforma në bashkëpunim konkret, si dhe kooperimi me faktor tjerë nga jeta publike e politike. Nuk rekomandohet një reformë e tërësishme „nga lart“, kjo d.m.th. përmes çatisë së sindikatave të bashkuara, pasi që një gjë e tillë edhe për Zvicrën, do të ishte një iluzion.Në fund të fjalës së tij, Osmani apeloi tek bashkëkombësit e pranishëm të angazhohen dhe organizohen në njërën anë në Zvicër për të drejtat njerëzore dhe interesat e tyre qoftë si punëmarrës ashtu edhe si komunitet, në anën tjetër dhe njëherazi të angazhohen edhe për të mbështetur sindikatat dhe lëvizjet përparimtare sociale në vendin amë, duke u kujdesur gjithashtu edhe për transferimin e përvojave të dëshmuara dhe njohurive pozitive shoqëroro-politike në shoqërinë amë.
Në thumb edhe Marrëveshja mbi sigurimet shoqërore Zvicër – Kosovë
Në pjesën e dytë u mbaj një tryezë diskutimi të cilës i paraprinë fjalët e shkurtra por kuptimplote të Barbara Burri Sharani dhe të Ruzhdi Ibrahimit. Ata pos tjerash vunë në thumb problematikën e Marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, gjë që kontribuon për përkeqësimin e mëtejmë të situa të përgjithshme sociale të qytetarëve të Kosovës. Pas prezantimit kronologjik që i bëri historisë së kësaj problematike si dhe analizës sikur përmbajtjesore ashtu edhe juridike, specialisti i sigurimeve shoqërore, Ruzhdi Ibrahimi përmbylli referimin e tij me përfundimin se është evidente diskriminimi i pashembullt në Zvicër që u bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës. Vendime këto të plotfuqishme në favor të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe që tumirin zbatimin e Marrëveshjes, e të cilat refuzojnë ti zbatojnë Enti federal për sigurimet shoqërore e së fundi edhe vet Qeveria zvicerane. Ai po ashtu kritikoi edhe pasivitetin dhe injorimin e kësaj çështjeje nga ana e zyrtarëve dhe qeverisë së Kosovës. Diskutimet pasuese ku morën pjesë aktive edhe pjesëmarrësit nga podiumi, kishin të bënin në njërën anë me problemet sociale në Kosovë, ndërsa në anën tjetër me Marrëveshjen në fjalë. Në këto diskutime u angazhuan aktivisht edhe punëtorët dhe aktivistët sindikal shqiptarë, ata portugezë e italianë, krahas sindikalistëve dhe politikanëve zviceranë.