
30 vjet angazhim në luftim të racizmit
Komisioni Federal kundër Racizmit (EKR/CFR) ka festuar dje 30-vjetorin me një ngjarje zyrtare në prani të Këshilltares Federale Elisabeth Baume-Schneider, Ministre në Sekretariatin për çështje të brendshme. Nën moton „të festojmë, të kuptojmë, të ecim përpara“, u nderua lufta kundër racizmit dhe diskriminimit gjatë tre dekadave të fundit dhe u publikua një manifest. Nga prapavija e diskriminimit të vazhdueshëm dhe kufizimeve të kuadrit ligjor ekzistues, Komisioni kundër racizmit, nëpërmjet këtij manifesti, shprehet për një ligji të përgjithshëm për trajtim të barabartë në Zvicër.

Që nga themelimi i saj në vitin 1995, pas përfshirjes së nenit 261bis në Kodin Penal – i njohur sot si norma penale kundër diskriminimit – Komisioni federal kundër racizmit EKR/CFR angazhohet për luftën kundër racizmit dhe diskriminimit në Zvicër. Komisioni u krijua për të mbështetur zbatimin e kësaj norme dhe për të sensibilizuar opinionin publik. Komisioni i përbërë nga 15 anëtarë, ekspert të njohur në fushat e ndryshme të racizmit, analizon, dokumenton, këshillon dhe nxit debatin shoqëror, masat politike dhe kërkimin shkencor mbi këtë temë.
“Deri më tani, e drejta civile zvicerane nuk ofron mbrojtje specifike kundër diskriminimit”
Aprovimi i nenit 261bis të Kodit Penal, që ndalon veprimet publike me motive raciste, ishte në përputhje me ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor në vitin 1994 – një hap i rëndësishëm drejt një qasjeje kombëtare për luftimin e racizmit në Zvicër.
Përkundër përparimeve të arritura, në Zvicër ekzistojnë ende boshllëqe ligjore: “Deri më tani, e drejta civile zvicerane nuk ofron mbrojtje specifike kundër diskriminimit”, thekson kryetarja e komisionit, Ursula Schneider Schüttel; një mangësi që është theksuar disa herë edhe nga Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Diskriminimit Racor dhe Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Mosdurimit.
Komisioni ka publikuar së fundmi dy studime juridike që mbështesin këtë konstatim. Studimi i parë, i kryer nga Instituti Zviceran për Krahasimin e të Drejtës, shqyrton instrumentet ligjore për luftimin e diskriminimit racor në disa vende evropiane. Raporti tregon se Zvicra është prapa standardeve evropiane. Studimi i dytë, me fokus në kontekstin kombëtar, zbulon boshllëqe të mëdha, veçanërisht në të drejtën e punës dhe të qirasë (banimit), dhe ofron propozime konkrete për përmirësim. Në këtë sfond, EKR, me rastin e 30-vjetorit të saj, riafirmon nevojën për një ligj të përgjithshëm për barazi trajtimi që ofron mbrojtje të plotë dhe konkrete për të gjithë njerëzit.
Katër arsye kryesore flasin për këtë:
Së pari: një ligj i tillë do të mbyllte boshllëqet ekzistuese: në vitin 2024, 17 për qind e popullsisë zvicerane deklaruan se kishin përjetuar diskriminim racor. Norma aktuale penale kundër diskriminimit fokusohet kryesisht në gjuhën e urrejtjes në hapësirën publike dhe nuk mjafton për të mbuluar të gjitha format e përvojave raciste.
Së dyti: një ligj gjithëpërfshirës do të ndihmonte në eliminimin e hierarkisë ligjore të përvojave të diskriminimit. Ndërsa disa grupe gëzojnë mbrojtje të veçantë, si për shembull në barazinë gjinore dhe për personat me aftësi të kufizuara, grupe të tjera si viktimat e racizmit, personat LGBTIQ+ dhe njerëzit që preken nga varfëria nuk janë të mbrojtur në mënyrë të qartë.
Së treti: një dekret i tillë do të ofronte mbrojtje universale kundër çdo forme diskriminimi në jetën e përditshme, duke marrë parasysh diversitetin e shoqërisë sonë dhe faktin se diskriminimi mund të prekë këdo, në çdo kohë.
Së katërti: lufta kundër diskriminimit nuk është vetëm një detyrim moral: edhe aspektet tjera si drejtësia sociale, shëndeti publik, inovacioni dhe kohezioni ekonomik luajnë rol.
Akti festiv me fjalime domethënëse
Manifesti i Komisionit kundër Racizmit është një thirrje drejtuar politikës, institucioneve dhe shoqërisë civile për t’u bashkuar në mënyrë që barazia e trajtimit të përfshihet në të drejtën zvicerane. Legjislacioni duhet të ofrojë mbrojtje efektive kundër çdo forme diskriminimi – për të ruajtur dinjitetin njerëzor si vlerën qendrore mbi të cilën bazohet shoqëria jonë. Ky manifest u shpalos në mbrëmjen festime më 4 qershor 2025 dhe nën moton „të festojmë, të kuptojmë, të ecim përpara“, u nderua lufta kundër racizmit dhe diskriminimit gjatë tre dekadave të fundit.
Në këtë ngjarje ka marr pjesë Këshilltarja Federale Elisabeth Baume-Schneider, Ministre e punëve të brendshme, presidentja e EKR-së Ursula Schneider Schüttel, presidentja e Këshillit Kombëtar Maja Riniker dhe personalitete të tjera nga politika, shoqëria civile dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
«Nuk duhet t’i largojmë sytë nga ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme. Dhe nuk duhet të ushqejmë iluzionin se ajo që ndodh atje nuk ka të bëjë me ne. Sepse, për aq kohë sa situata në Gaza nuk qetësohet, edhe tensionet tek ne nuk do të zvogëlohen».
Në fjalën saj përshëndetëse, Ministrja Baume-Schneider falënderoi Komisionin dhe anëtarët e saj për punën që bëjnë në mbrojtje të kohezionit social, të drejtave themelore dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve dhe bëri një lidhje në gjendjen e sotshme, ku mes tjerash thotë: «Racizmi po ndryshon: Tani fshihet pas termave që duken të padëmshëm, si ‘remigrimi’. Është i padukshëm në algoritmet që përcaktojnë se cilat media konsumojmë. Dhe shfaqet në diskriminim të heshtur në tregun e banesave, në tregun e punës dhe në arsim. Format e racizmit po ndryshojnë, por thelbi mbetet i njëjtë».
Një pjesë e polarizimit të shoqërisë dhe shfaqja e shtuar e racizmit ndaj myslimanëve dhe rritja e antisemitizmit lidhet edhe me konfliktin në Lindjen e Mesme. Ajo apeloi të mos i mbyllim sytë nga ajo që po ndodhë në rripin e Gazës. «Nuk duhet t’i largojmë sytë nga ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme. Dhe nuk duhet të ushqejmë iluzionin se ajo që ndodh atje nuk ka të bëjë me ne. Sepse, për aq kohë sa situata në Gaza nuk qetësohet, edhe tensionet tek ne nuk do të zvogëlohen».
Pas Ministers Baume-Schneider, në skenë u ftua edhe Kryetarja e Parlamentit të Zvicrës, Maja Riniker, cila e pranoi Manifestin nga Kryetarja e Komisionit Ursula Schneider-Schüttel dhe në fjalimin e rastit ajo u zotua që këtë Manifest ta bart në Parlament, pra në vendin ku kjo temë duhet diskutuar dhe vendosur nga ligjvënësit e votuar nga populli.

Në përmbyllje të mbrëmjes me shfaqje artistike u paraqiten artistë dhe artiste të ndryshëm, të cilët në programin e tyre në forma të ndryshme i ndërlidhen temat me vrojtimet dhe përjetimet e tyre personale. SI akt i fundit festiv u pre torta e përgatitur me rastin e 30 vjetorit dhe anëtarët e tashëm dhe të mëparshëm të komisionit u falënderuan për punën e tyre me një duartrokitje të gatë nga pjesërmarrësit .
Downloadbereich