Të punësuarit të mbrohen nga racizmi

Konferenca e migracionit e sindikatës Unia Ka aprovuar një rezolutë me titullin “Ndal racizmit në vendin e punës”. Rezoluta rikujton, që diskriminimi racial mbetet problematik posaçërisht në vendin e punës si dhe kërkon masa të  gjera.

Më 18 qershor 1993 hyri në fuqi neni 261 i Kodit Penal (i ashtuquajturi norma penale e racizmit), e cila ndalon thirrjen publike për diskriminim racial, etnik dhe religjioz. Në mënyrë eksplicite janë të ndaluara edhe fyerjet e gjestet raciste, të cilat cenojnë dinjitetin e një personi. Tridhjetë vite më vonë konferenca e migracionit e Unia vjen në përfundim, se norma penale është e rëndësishme, mirëpo e pamjaftueshme.

Në vendin e punës punëdhënësi mbyll të dy sytë

Problemi kryesor: Vendi i punës shihet me ligj si hapësire private dhe kjoështë e përjashtuar nga norma penale. Kësaj duhet shtuar, se as e drejta obligative e as ligji i punës dhe ai civil nuk definojnë qartë diskriminimin racial. Kështu të punësuarve u mungon instrumenti ligjor, për të ndërmarrë diçka kundër diskriminimit racial në vendin e punës. Ndërsa të vepruarit më e shumti nevojitet pikërisht në vendin e punës. Një raport i rrjetit këshillues për viktimat e racizmit i publikuar në prill tregon, që është pikërisht vendi i punës, ku ndodhin rastet më të shumta të diskriminimit.

Të mbrohen nga diskriminim të punësuarit 

Nevojitet fuqizimi i mbrojtjes efektive kundër formave të ndryshme të diskriminimi: me rastin e punësimit, avancimit në karrierë, aftësimit profesional, tek qasja profesioneve të ndryshme, të njohjes së diplomave si dhe tek kushtet e punës dhe pagave. Konferenca e migracionit e Unia kërkon forcimin e normave ligjore penale, civile dhe administrative për luftimin e të gjitha formave të diskriminimit në vendin e punës qysh me rastin e parë të sjelljes ngacmuese,  gjuhës urrejtjëse, pabarazisë në trajtim, kontratave kolektive të punës dhe rregullave të pagave minimale. Qasja tek drejtësia (përmes procedurave e mekanizmave koherente, përfshirë edhe kthimin e barrës së provës, sipas shembullit të ligjit të barazisë). Pos këtyre nevojitet forcimi i parandalimit nga ana e autoriteteve si dhe një ofensivë informimi e sensibilizimi kundër racizmit në rrafshin federal, kantonal dhe komunal. 

Hilmi Gashi

Please share / Bitte teilen / Ju lutem shpërndajeni