Mërgata shqiptare është e lidhur ngushtë me mëmëdheun. Historikisht, shpirtërisht dhe materialisht. Në histori mërgata gjithmonë ka qenë pjesë e rilindjes dhe përtëritjes nacionale. Impulset e forta për autonomi dhe shtet formim erdhën nga mërgata, e cila kishte edhe privilegjin e veprimit nga jashtë në rrethana më të volitshme dhe më të përshtatshme se popullata e mbetur brenda, e cila sfidohej nga kontroll total, përndjekja politike dhe izolimit nga informacionet objektive. Shpesh mërgata dhe forcat progresive ne vend janë lidhur dhe kështu kanë bashkëvepruar në jetësimin e idealeve për autonomi, mëvetësim politik dhe ekonomik. Andaj, një bashkëveprim i tillë është një pasuri e madhe e popullit tonë.
Shpirtërisht jemi të lidhur me mëmëdheu, sepse atje kemi një pjesë të familjeve, të cilat së paku njëherë në vit i vizitojmë. Kjo lidhje ende është shumë e fortë, sepse kemi përjetime të përbashkëta. Përderisa ndajmë këto përjetime dhe brenga, atëherë jemi pjesë e një fati të përbashkët. Edhe ky fakt e bën lidhjen mes mërgatës dhe mëmëdheut të fortë dhe nëse kanalizohet në mënyrë të mbarë, atëherë kjo do të shkoj përherë në të mirë të përparimit të vendeve prej nga vijmë.
Materialisht mërgata është e lidhur ngushtë me vendet e prejardhjes. Jo vetëm në formë të dërgesave të rregullta të parave për familjet atje, por edhe si investues në Kosovë dhe gjetiu, duke krijuar vende pune dhe shtuar mirëqenien ekonomike. Politikisht mërgata është aktive, si ne vendet ku jetojmë, ashtu edhe si simpatizues apo edhe anëtarë të degëve të partive politike. Të mbetemi te shembulli i Kosovës: Gati secila parti në Kosovë ka degët e saja në Zvicër.
Por, pengesat për të mos votuar diaspora në Kosovë janë të shumëllojshme:
Arsyet objektive: Arsyeja kryesore për vështirësimit të votimit të Diasporës në Kosovë është afati i shkurtër për zgjedhje të parakohshme. Diaspora këtë e interpreton si hap strategjik të qeverise së tashme për të penguar votimin e diasporës. Zgjedhjet në korrik dhe gusht kishin me ua lehtësuar atyre pjesëmarrjen në votime, sepse edhe ashtu vizitojnë Kosovën. Para 3 viteve 15 shoqata e subjekte, kryesisht nga Zvicra, patën shkruar këtë kërkesë (për më shumë shih edhe: http://prointegra.ch/tu-mundsohet-pjesmarrja-n-votime-edhe-mrgimtarve/), të cilën e patën adresuar në një nga seancat e atëhershme edhe një përfaqësues i diasporës së Zvicrës (për më shumë shih edhe: http://kuvendi.kv.sayit.parldata.eu/speech/45500).
Pengesë janë edhe regjistrimet për votim. Përderisa votimet në shtetet tjera bëhen nëpër ambasada, KQZ-ja ende këmbëngul në procedura, të iniciuara nga UNMIKU. Kështu ndodhin gjërat paradoksale, si ardhja e fletëve për regjistrim për votime në Kosovë katër ditë pas kalimit të afatit për aplikim. Për pengesat teknike nëpërmjet problemeve me serverë është shkruar shumë. Kjo ngjallë bindjen, se ne si mërgatë duhet të paguajmë, por kur vjen koha për të realizuar të drejtat tona, atëherë na anashkalojnë. Paradoksi është edhe më i madh kur dihet fakti se përderisa shteti angazhon institucionet shtetërore, të paguara nga paraja publike, siç është rasti me policinë kufitare të Republikës së Kosovës, e cila detyron mërgimtarët tu paguajnë personave e agjencive private për së dyti sigurimin e automjeteve, faktikisht të siguruara mirë e mjaftueshëm në vendet ku ata punojnë e jetojnë. Në anën tjetër nuk mund të udhëzojë përfaqësitë diplomatike që të mundësojnë votimet fizike nëpër lokalet e përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës, të paguara gjithashtu nga paraja publike. Dhe kjo shkakton pastaj arsyet subjektive për t’i kthyer shpinën zhvillimeve në Kosovë.
Arsyet subjektive: Mosinformimi i duhur për afatet e regjistrimit dhe mënyrat e aplikimit, edhe pse kësaj radhe informimi ka qenë më i mirë dhe mobilizimi i mërgatës për të ndihmuar votuesit e mundshëm për regjistrim ka qenë shumë i madh. Një pjesë e mërgatës është e dëshpëruar me anashkalimin e vazhdueshëm nga institucionet e Kosovës dhe janë duke u orientuar më shumë nga e ardhmja në vendet ku jetojnë. Ky zhvillim është brengosës dhe nuk është i mirë për Kosovën, e cila ka nevojë për një mërgatë të fortë.
Se a duhet mërgata të votoj në Kosovë, është bë gati një pyetje me shumë përgjigje.
Në varshmëri prej interesave politike dhe ditore, ajo trajtohet pak a shumë ndryshe. Unë do të koncentrohem në dy pika:
Lidhja e forte historike, shpirtërore, ekonomike dhe politike, e përmendur më lartë është një arsye e forte dhe patjetër e dëshirueshme, sepse forcon lidhjet mes Mërgatës dhe Mëmëdheut. Asnjë qeveri largpamëse dhe vizionare nuk mund të heq dorë nga ky burim i madh i mjeteve financiare, kapacitetit intelektual dhe lidhjeve ndërkulturore. Lidhjet e forta me Diasporat e tyre i ndihmojnë shumë zhvillimeve në vend. Këtë e dëshmojnë shtetet e shumta përreth, si Kroacia, Greqia, Italia por edhe Irlanda dhe Izraeli.
E drejta kushtetuese për votë: Çdo shtet duhet të bëj gjithçka që është e mundshme, që qytetarit t’i mundësohet e drejta për votë. Arsyet teknike për heqjen e një të drejte kushtetuese nuk duhen pranuar. Problemet teknike nuk janë të pazgjidhshme kur ekziston vullneti politik dhe konsensusi shoqërorë, pasi që të gjithë ne jemi përgjegjës për vendin tonë të përbashkët, Pengimi i ushtrimit të një të drejte të garantuar me kushtetutë, duke u arsyetuar me pengesa teknike, mërgata e sheh si dështim të institucioneve dhe qeverisë. Ata së fundi, të paguar mirë nga paratë publike, janë përgjegjës për mbarëvajtje të proceseve demokratike.
Schreibe einen Kommentar
Du musst angemeldet sein, um einen Kommentar abzugeben.