Ndal spekulimeve në çmimet e banesave

Ngritja e vazhdueshme e qirave rëndon buxhetin e qytetarëve në Zvicër. Mesatarisht shpenzimet për banim janë rritur për 19%. Në qendrat urbane është gati e pamundshme për të gjetur banesë me çmim të përballueshëm. Iniciativa për “më shumë banesa me çmime të përballueshme” synon të ndaloj spekulimet me patundshmëri dhe banim me çmime të përballueshme.

Së pari një shënim personal. Në vitin 2013 kam ndërruar banesën, në të cilën kam banuar 21 vite. Çmimi i banesës në qendër të Bernës ka qenë i arsyeshëm. Me largimin tonë nga kjo banesë, ajo u meremetua. Pjesërisht me ndihmën e financave publike. Kjo banesë pastaj është dhënë në qira me një çmim shumë më të larte, se sa që kemi paguar ne. Tash kjo banesë kushton 1000 franga më shumë.

Shumica dërmuese e njerëzve në Zvicër banojnë në banesa me qira. Përderisa çmimet për hipoteka prej vitit 2008 kanë arritur një nivel shumë të ulët, çmimet e banesave janë duke u rritur vazhdimisht. Këto u sigurojnë pronarëve të objekteve të banimit përfitime të majme, kurse shtresa e ulët dhe e mesme mezi se i përballon shpenzimet e banimit.

Sot paguajmë 40 % më shumë se që është dashur!

Banimi është një prej nevojave elementare për njerëzit. Për këtë arsye kushtetuta e Zvicrës parasheh që në çmimin e banesave përfitimi neto, pas zbritjes së shpenzimeve për banesën, të jetë 2-4 %. Mirëpo, edhe pse norma e interesit për hipoteka është në nivel të ulët, çmimet për banim nuk janë ulur, por përkundrazi janë shtuar me të madhe.

Sipas një hulumtimi të Raiffeisenbank ne sot paguajmë 40 % më shumë qira se sa do të duhej të paguanim. Po t’i kishin përshtatur qiradhënësit qiratë e banimit zhvillimit të kamatës së hipotekës, ne sot do të kishim paguar 3000 4000 Franga më pak në vit për banim.  Do me thënë 7 miliard franga kanë përfituar pronarët e ndërtesave dhe patundshmërive, duke i rrjepur qiramarrësit e tyre. Kjo është një shpërndarje gjigande e mjeteve prej qiramarrësve në drejtim të pronarëve të ndërtesave me qira.

Çka synon iniciativa për “më shumë banesa me çmime
të përballueshme”?

  • Federata dhe kantonet duhet të punojnë së bashku për të siguruar, që të paktën 10 % e hapësirave të reja të banimit të janë jofitimprurëse, pra me qira të përballueshme.
  • Komunat dhe kantonet duhet të kenë të drejtë të kenë përparësi në blerjen e tokave të ndërtimit, për ndërtim të banesave me çmime të volitshme.
  • Ndërmarrjet e Federatës si Hekurudhat Federale SBB/CFF/FFS, të cilat janë pronarë të tokave të shumta, në rastin e shitjes, këto terrene ndërtimi duhet t’ia ofrojnë së pari komunave dhe kantoneve, dhe jo t’i shesin në treg spekulantëve.
  • Financimet publike të meremetimit të banesave duhet të kushtëzohen me çmime të volitshme për banim. Nëse një meremetim energjetik paguhet me mjetet publike, atëherë nuk duhet lejuar që të ndritën qiratë.

Ne e kemi në dorë të ndryshojmë këtë gjë. Ata që kanë të drejtë vote duhet të votojnë Po për iniciativën dhe kështu të mundësojnë që shpenzimet e banimit të jenë të përballueshme për të gjithë.

Për më shumë informacione në gjermanisht, frëngjisht, italisht:

 

Please share / Bitte teilen / Ju lutem shpërndajeni