Vota ime për një njeri largpamës dhe të ndershëm

nga Hilmi Gashi

Me Sami Kurteshin na lidhë një shoqëri e gjatë, miqësi e sinqertë dhe respekt i ndërsjellë.

Jemi njoftuar në vitin 1996 në Bernë në Radio Bern RaBe, një radio lokale në kryeqytetin e Zvicrës, në një emision dy orësh në gjuhën gjermane për integrim të të huajve në Zvicër. Unë isha udhëheqës i këtij emisioni. Të ftuarit në emision ishin të gjithë ekspert zviceran në fushën e Antropologjisë, Sociologjisë dhe Drejtësisë. Në emision ishte edhe Sami Kurteshi, student dhe veprimtar në Zvicër.

Më besoni, si moderator i emisionit më bëhej zemra mal kur Sami Kurteshi, gjatë përgjigjeve në gjuhën gjermane, gjithmonë i përmendke edhe sfidat e integrimit të shqiptarëve në Zvicër, duke bë temë edhe përgjegjësinë e politikës, institucioneve dhe shoqërisë zvicerane, që integrimi-jo asimilimi- të jetë i mirëfillte dhe i suksesshëm.

Pas disa muajsh u takuam prapë dhe e bëmë një emision në gjuhën gjermane për Kosovën dhe gjendjen e rëndë të Shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Përgjigjet e Samiut ishin korrekte dhe të kuptueshme për publikun zviceran. Pas emisionit në studio thirri një zotëri Stojanoviq, i cili në gjuhën gjermane më sqaroi se ky personi në studio qenka terrorist, i cili edhe ishte i dënuar nga shteti për veprimtari nacionaliste dhe irredentiste. E morra me mend se ishte njeri i Ambasadës Jugosllave. E pyeta se prej nga i kishte këto informacione për mysafirin tim në Studio? E mbylli telefonin. Po atë ditë në studio u lajmëruan edhe shumë zviceran, të cilët u falënderuan për këtë emision, sepse kishin mësuar diçka për fatin e rëndë shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe dhunën që ushtrohej nga shteti nacionalist dhe shovinist i ish Jugosllavisë ndaj tyre.

Samiu, te vendasit zviceran ishte zëri i publik shqiptarëve në Zvicër

Gjatë gjithë kohërave të vështira, në të cilat gjendej Kosova dhe populli shqiptar në Jugosllavinë në shpartallim, Samiu nuk ka lënë vend në Zvicër pa shkuar për të folur për shtypjen e shqiptarëve, për vuajtjet e shqiptarëve dhe terrori i përditshëm ndaj tyre i ushtruar nga regjimi i egër dhe shovinist serb. Në debate të shumta në Radio dhe Televizion të Zvicrës dilte shumë i përgatitur. Përgjigjet në pyetje, por edhe në akuza të mbështetësve dhe miqve të regjimit Serb i jepte gjithmonë i qetë dhe me argumente të kuptueshme. Kjo i jepte edhe më shumë peshë asaj çka thoshte. Shpesh dëgjoja nga zviceranet si thoshin: “Zoti Kurteshi nuk është i bindshëm vetëm me argumente, por edhe me kulturën e diskutimit”. Kështu shumica e sulmeve personale ndaj tij i ka marrë me seriozitet dhe u është përgjigj me dinjitet.

Sulme ndaj Sami Kurteshit ka pas edhe prej shqiptarëve, gjëja që unë më së paku e kuptoja. Me naivitetin e një të riu, i cili me mish e me shpirt mundohej të bëj diçka në rrethin e tij për të informuar bashkëqytetarët zviceran mbi vajtjet e popullit tim, nuk e kuptoja se si në mesin tonë mundoheshin të luftoheshin njerëz si Sami Kurteshi, i cili sipas meje ka bë shumë, që gjendja e shqiptareve në ish Jugosllavi të mos mjegullohet nga organet serbe me aleatët e tyre, por të del në dritë vuajtja e shqiptarëve dhe terrori sistematik ndaj popullit tonë nga një regjim i egër, diktatorial dhe shovinist.

Për Samiun aktivistët nuk ishin “mish për top”

Në vitin 1998, në kohën kur popullata shqiptare në Kosovë përjetonte tmerrin më të madh, më pyeti Sami Kurteshi, se a jam i gatshëm të dal në një emision të televizionit zviceran me emrin Arena. Më tha të mendohem mirë, sepse aty më nuk mundem me dalë si në radio me pseudonim, pra me emër të rrejshëm. “Aty del me emër dhe fytyrë”, tha Samiu. “Dhe prej atij momenti je në shënjestër”. Kjo më ka treguar, se për Samiun kolegët e idealit nuk janë “Mish për Top”. Nuk kam hezituar, por vetëm e  kam pyet se cili do të ishte kontributi im në emision. Edhe këtu Samiu asgjë nuk i la rastit, por me mua dhe dy pjesëmarrës tjerë ka bërë përgatitjen e asaj se çka na pret, dhe cilat munden me qenë pyetjet e mundshme dhe si të reagojmë të qetë dhe me argumente. Në këtë emision Samiu, si ekspert, e shpartalloi një filozof dhe politolog me emër, i cili përfaqësonte palën serbe, dhe ishte kundër intervenimit të NATO në Kosovë.

E tregoj këtë episod në pika të shkurta, për të treguar dhe ilustruar se si e kam përjetuar Samiun në ato momente të rënda për popullin e Kosovës: të përgatitur, guximtar, të mençur dhe si një njeri, i cili e do Kosovën, popullin e vet, e do lirinë dhe drejtësinë. Një njeri i pasionuar për drejtësinë dhe ithtar i sistemit ligjor dhe demokratik, i cili nuk i shet idealet e veta, por është në gjendje të sakrifikoj shumë për atë që beson.

Sami Kurteshi, për mua edhe sot është ai njeriu i ndershëm, intelektual largpamës dhe profesionist me parime, siç ka qenë në Zvicër.

Si politikan dhe qytetar aktiv, Sami Kurteshi është një njeri, i cili ka vizion për një shoqëri demokratike, ligjore dhe sociale për të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai është kandidat, i cili me zemër dhe shumë mençuri ka vepruar dhe vazhdon të veproj për një Kosovë, në të cilën i vlen të jetohet.

Andaj, unë me plotë bindje do t’i jap votën time Sami Kurteshit.

Nëse doni të votoni Samiun, votoni listën 35 numri i kandidatit është 13.

Please share / Bitte teilen / Ju lutem shpërndajeni