CDK, një nismë sfiduese që polarizon

CDK, si subjekt i ri, nuk e lë askënd indiferent. Për më tepër, mendimet rreth tij, në mesin e shqiptarëve, janë krejtësisht të ndara

Themelimi i subjektit të ri politik “Bashkësia e Demokristianëve Kosovarë” (CDK) në kuadrin e CVP-së nuk ka kaluar pa bërë jehonë edhe në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Fundja, bëhet fjalë për një zhvillim të ri, që si i tillë nuk e lë pothuaj askënd indiferent. Për më tepër, mendimet rreth CDK-së, ndahen pothuaj diametralisht. Albinfo.ch ka pyetur disa njohës dhe pjesëmarrës të zhvillimeve në mërgatën shqiptare të Zvicrës rreth paraqitjes më të re në skenën e brishtë politike e sociale të shqiptarëve në Zvicër.

Nikë Gjeloshi: „e drejtë e secilit të zgjedhë ku do të aktivizohet“

Nikë Gjeloshi, doktor i shkencave politike, ish zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës në ekzil dhe ish kryetar i PSHDK-së, cilindo angazhim politik e sheh, në në parim, si një çështje personale. “Është e drejtë e secilit që të zgjedhë ku do të aktivizohet. Është krejtësisht në rregull që shtetasit e rinj të një vendi (me prejardhje të huaj) të inkuadrohen në subjektet politike të vendit përkatës. Në këtë rast edhe në CVP. Dhe kjo është sigurisht edhe në të mirë të integrimit të tyre në atë vend”, thotë ai. Ndërkaq, duke pranuar se nuk është sa duhet i informuar rreth rastit konkret, dr. Gjeloshi më tutje thotë: “Unë, me thënë të drejtën, nuk e kuptoj plotësisht motivin e atyre që qenkan anëtarësuar në atë bashkësi dhe nuk e di sa ka peshë organizimi në kuadër të partisë. Më tutje, nuk e di se sa ka qenë i nevojshëm inkuadrimi i këtillë (grupor) në parti. Tash, a ka qenë kjo në shërbim të marketingut të partisë përkatëse ose jo, nuk mund të them. Por, parimisht, ata që kanë krijuar këtë bashkësi nuk mund t`i gjykojmë”, është shprehur dr. Nikë Gjeloshi.

Pal Shtufi: “Shfaqja me flamuj fetarë, e keqe dhe e frikshme”

Ndërsa Pal Shtufi, aktivist, pedagog dhe redaktor në ”Albsuisse” ka një mendim shumë kritik lidhur me themelimin e CDK-së. Ai e sheh këtë veprim më shumë nën prizmin e tendencës së ndasisë, që sipas tij, e kanë treguar ata që kanë marrë këtë nismë. Gjithnjë në këtë kontekst, kritika e tij drejtohet edhe ndaj paraqitjes, ditë më parë në Zvicër, të imamit kontrovers nga Prishtina Shefqet Krasniqit dhe pritjes që atij iu bë nga një numër të rinjsh shqiptarë të besimit mysliman.  “Lajmet për shfaqjen e shqiptarëve në Zvicër me “flamuj” fetarë, për mua ishin lajme të këqija dhe të frikshme. Them të këqija sepse kjo dëshmon gjendjen amorfe të shqiptarit si shtet dhe komb dhe them të frikshme sepse që të dyja këto paraqitje janë të iniciuara nga të huajt dhe interesat e tyre, pra nuk janë as nisma e as koncepte shqiptare”, shprehet i shqetësuar z. Shtufi.

“Natyrisht, gjenerata e dytë as që mendon se kjo punë shkon në dëm të kombit. Ata ende janë në kërkim të identitetit të tyre nacional, e në këtë kërkim herë i sheh duke u krenuar me këngët “kombëtare” tallava e herë duke tundur flamuj të huaj fetarë.  Në këtë kërkim, përhumbjen e tyre e kuptoj tërësisht. Së këndejmi, ata mund të bëhen shumë lehtë pre e interesave të huaja në Zvicër dhe kudo në botë”, thotë ai.

Sipas Shtufit, “CVP nuk mendon asnjë sekondë për interesat e shqiptarëve në këtë rast, por ajo ka hallin e votave dhe qëllimeve të saj në skenën e politikës zvicerane. Për mua, tingëllon mjaft absurd arsyetimi se gjoja, duke e themeluar CDK-në, shqiptarët paskan më shumë mundësi integrimi. Argument krejt i thatë e madje pa shije politike. Jam krejt i sigurt se ky projekt do të dështojë, mirëpo gjithsesi do të lë pasoja në substancën tonë të brishtë kombëtare sepse mund të bëhet shkas i paraqitjeve të ideve tjera mesjetare. Ndoshta ky është alarmi i fundit që shqiptarët të fillojnë të mendojnë kthjelltë për gjendjen e tyre në diasporë”, përfundon Pal Shtufi.

Gustin Marjakaj: “Organizim që përjashton shumicën e shqiptarëve të Zvicrës”

Gustin Marjakaj, gazetar, është po ashtu skeptik ndaj iniciativës së quajtur CDK. “Unë e mirëpres çdo përpjekje të shqiptarëve që i kontribuon integrimit. Mirëpo jam skepktik ndaj këtij hapi, pasi nuk di sa ka të bëjë me integrim një grupim, nëse kusht për tu pranuar në të  është pasja e “idesë së krishterë”.

Më tutje, sipas Marjakajt, kjo mënyrë organizimi e përjashton shumicën e shqiptarëve të Zvicrës. “Mendoj se kjo mënyrë për t’u inkuadruar në politikën zvicerane (sidomos kur këtë arsyetohet me shanset më të  mira për integrimin e shqiptarëve) është e gabueshme dhe i përjashton shumicën e shqiptarëve në Zvicër”.

Që të futesh në ndonjë parti politike, duhet të studjosh programin e partisë dhe çdo njeri duhet të vendos vetë se ku e sheh veten. Nuk e shoh të arsyeshme të kenë ndikim bindjet fetare për orientimin politik. E para është diçka krejtësisht private, kurse e dyta ka të bëjë me jetën publike dhe shoqërore“, thotë Marjakaj. Sidomos kushti që paraqet CVP për inkuadrim në CDK, sipas të cilit „duhet pasur mendim të krishterë“ është për mua i gabueshëm. Do të kisha përshëndetur një hap të tillë, sikur të ishte krijuar ndonjë „institucion“ që do të ndihmonte shqiptarët që të informohen më shumë për politikën dhe sistemin partiak në Zvicër. Diçka që vërtetë do të kishte ndihmuar të GJITHË shqiptarët që të integrohen më mirë në shtetin zviceran“, thotë në fund të prononcimit të tij Gustin Marjakaj.

* Hilmi Gashi: „Qëllimi i grupit të shqiptarëve – i drejtë ndërsa synimi i CVP-së – instrumentalizues“

Hilmi Gashi, sekretar sindikalist dhe publicist diferencon mendimin e tij në dy drejtime. Sipas tij, qëllimi i grupit të shqiptarëve të besimit katolik që kanë marrë nismën është pozitiv dhe i sinqertë. Por, ai dyshon në qëllimet, sipas tij, përfituese që ka ndjekur me këtë rast CVP-ja. Duke uruar grupimin e ri, Gashi shprehet: “Sidomos e përgëzoj Llesh Duhanajn dhe kolegët e tij për punën e mirë që po e bëjnë.

Edhe pse, nga ana tjetër, këtë nismë e shoh me sy kritik, sepse CVP-ja me këtë rast instrumentalizon një grup të shqiptarëve, për të mbledhur vota, te një komunitet që është duke u rritur si elektorat. Sa i përket interesimit për integrim apo për të drejtat e migrantëve edhe kjo parti përfaqëson qëndrime konservative. Këtë e ilustrojnë më së miri edhe reagimet  e ashpra kundër krijimit të CDK-së nga baza e CVP-së” shpreh Gashi skepticizmin e vet. “Këtë e tregon edhe fakti se CVP-ja është e interesuar vetëm për njerëz me shtetësi, pra me të drejtë vote”, shton ai.

Por, sipas tij, besimi te iniciatorët nga ana shqiptare, nuk duhet të mungojë. “Kjo nuk do të thotë se nuk kam besim te këta njerëz të angazhuar në CDK. Përkundrazi. Jam i bindur se ata do të shfrytëzojnë rastin që u është dhënë, të ndikojnë në mënyrë pozitive te baza konservative e CVP-së dhe të ndihmojnë në ndërrimin e imazhit tonë te ata”, përfundon Hilmi Gashi.

Blerim Shaban, albinfo.ch

Hinterlasen Sie eine Antwort

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>